Ministria e Shëndetësisë e Kuvajtit ka njoftuar se një person ka humbur jetën dhe 63 të tjerë janë lënduar si pasojë e sulmeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit të mërkurën.
Zëdhënësi i ministrisë ka bërë të ditur se shtatë nga të plagosurit janë duke iu nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, raportojnë mediat ndërkombëtare, përfshirë Reuters.
Ambasada e Indisë në Kuvajt ka konfirmuar se një shtetas indian është në mesin e viktimave fatale. Në një deklaratë, ambasada theksoi se është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të ndjerit dhe po bashkëpunon me autoritetet kuvajtiane për të ofruar mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme.
Sipas Agjencisë Shtetërore të Lajmeve të Kuvajtit (KUNA), sulmet kanë shkaktuar edhe dëme materiale në Terminalin 1 të aeroportit, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.