Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mëngjesin e sotëm qendrën e Beogradit, ku një burrë është vrarë, ndërsa për krimin dyshohet një 26-vjeçar, i cili sipas mediave serbe ka qëndruar në vendin e ngjarjes deri në mbërritjen e policisë.
Sipas raportimeve të “Telegraf.rs”, vrasja ka ndodhur rreth orës 07:00 të mëngjesit në një shtëpi që ndodhet pas ndërtesës së vjetër të BIP-it.
Policia ka marrë njoftimin për krimin në orët e hershme të mëngjesit dhe menjëherë ka dërguar patrulla në vendngjarje.
Sipas informacioneve jozyrtare të publikuara nga mediat serbe, efektivët kanë gjetur në adresën e ngjarjes një 26-vjeçar, i cili dyshohet se ka pranuar menjëherë autorësinë e krimit.
“E vrava me sëpatë”, mësohet t’u ketë thënë ai policëve sapo ata kanë mbërritur në vendngjarje.
Pas kësaj, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor.
Në vendin e ngjarjes ndodhen një numër i madh policësh dhe ekspertësh të kriminalistikës, të cilët po kryejnë hetime për të zbardhur të gjitha rrethanat e vrasjes.
Hetuesit po punojnë për të përcaktuar motivin e mundshëm të krimit, si dhe marrëdhënien mes të dyshuarit dhe viktimës.
Identiteti i burrit të vrarë ende nuk është bërë publik, ndërsa autoritetet vazhdojnë punën për identifikimin e tij dhe zbardhjen e plotë të rastit.